Aktualitet Rama: Ndëshkime shembullore për ata që prekin mjekët

Rama: Ndëshkime shembullore për ata që prekin mjekët

Ndëshkime shembullore ka premtuar kryeministri Edi Rama për të gjithë ata që do të guxojnë të prekin qoftë edhe një fije floku të mjekëve për shkak të detyrës.

Kreu i qeverisë, në një takim me drejtues shërbimesh mjekësore, foli për ashpërsim të Kodit Penal për dhunën ndaj mjekëve, ngjashëm me hapat që do të hidhen për ndalimin e dhunës në sport.

“Goditja për shkak të detyrës do të  hyjë në një kornizë të re pamundësie për diskrecion nga ana e prokurorëve dhe gjykatësve. Pamundësie për të thënë jo ishte goditje, jo nuk ishte goditje, jo i ra me mendje, jo i ra pa mendje.”

Rama tha se Kodi Penal do të ndryshohet edhe lidhur me mjekimin e pakujdesshëm dhe neglizhencës. “Ndryshimi i Kodit Penal lidhur me përcaktimin e mjekimit të pakujdesshëm, neglizhencës në mjekim, bazuar në praktikat ndërkombëtare, jo në emocionet mediatike, duke u krijuar mjekëve lehtësi dhe duke u dhënë garanci në ushtrimin e profesionit është një domosdoshmëri.”

Kjo po ashtu, tha Rama, do të sigurojë kushte “për t’iu dhënë ndëshkime shembullore atyre që prekin një fije floku të kujt shërben sot.”