Aktualitet Itali, lavdëronte ISIS në Facebook, shqiptari nën mbikëqyrje për terrorizëm

Itali, lavdëronte ISIS në Facebook, shqiptari nën mbikëqyrje për terrorizëm

Një shqiptar 38-vjeçar, Edmond Ahmetaj, është vënë nën mbikëqyrje speciale nga policia italiane, e po hetohet për terrorizëm ndërkombëtar.

Ahmetaj, rezident në provincën e Barit, jeton atje prej disa vitesh me të shoqen dhe të vëllanë, e që prej majit 2016 ka marrë edhe nënshtetësinë italiane.

Por vëzhgimi i tij nisi që nëntorin e vitit 2015, pas atentateve të Parisit.

38-vjeçari kishte shprehur asokohe në “Facebook” përçmim për viktimat e lavdëronte ISIS-in, duke publikuar edhe një video të lidhur me një atentat të mundshëm në Itali.

Mbikëqyrja speciale, e aplikuar në Bari e që përbën të katërtën herë kur ajo zbatohet në vendin fqinj që prej ligjit të vitit 2015, e shtrin aplikueshmërinë e masave të Antimafias edhe te krimet e terrorizmit.

Sipas policisë, shqiptari ka bërë propagandë xhihadiste në rrjetet sociale dhe në “Facebook” mendohet të ketë pasur kontakte edhe me grupe të tjera bashkatdhetarësh, ku i thurte lavde grupeve terroriste të natyrës islamike.

Në profilin e tij shihej dhe një foto me armë zjarri, e një video me intervistën e një imami në Londër, ku përmendej një sulm i mundshëm në Romë.