Kryesore “Opozita e re”: Rudina Hajdari do të drejtojë Grupin Parlamentar të PD-së

“Opozita e re”: Rudina Hajdari do të drejtojë Grupin Parlamentar të PD-së

Ndryshe nga ç’ishte menduar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi ata që kanë dezertuar duke tradhtuar kauzën opozitare janë të shumtë dhe tashmë që janë bashkuar në Parlament, kanë kërkuar edhe zyrtarisht që të njihen si grupe parlamentare.

Deputetët e “opozitës së re” kanë diskutuar mes veti në seancën e sotme për çështjen mësipërme.

Kështu nga diskutimi, rezulton se pretendente për të drejtuar Grupin Parlamentar të PD-së është Rudina Hajdari, e cila po ecën kështu në gjurmët e babait të saj, heroit të demokracisë Azem Hajdari që ka qenë nga figurat më të larta të selisë blu.

Ndërkohë nga radhët e LSI, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka propozuar që të jetë një femër kryetarja e Grupit. Duke vlerësuar propozimin e Tavos, deputeti Enver Rroshi ka propozuar Ediola Brahon që zëvendësoi Vangjel Tavon në qarkun e Gjirokastrës për kryetare grupi.

Ajo ç’ka bie në sy deri më tani në seancë, është një ndryshim i trendit të deputetëve, mes forcave politike të opozitës, ku LSI numëron më shumë deputetë se PD.

Me betimin e Alimadhit dhe Elezit ditën e sotme, deputetët dezertorë të PD janë 7, ndërsa deputetët e LSI janë 12 në pritje të Ambra Borovës me të cilën shkojnë 13.