Situata kritike politike pritet të marrë një kthesë të re me vizitën e zv. ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili do të mbërrijë në Tiranë në fillim të javës, në kuadër të një turi ballkanik.
Pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve, në lojë futet diplomacia amerikane, e cila zbarkon në Shqipëri në një kohë që opozita ka djegur mandatet dhe ka nisur protestat e pandalshme, ndërsa mazhoranca po përgatitet për zgjedhje.
Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Edi Rama të hënën, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës.
Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë. Një ditë para vizitës së të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Ilir Meta, bëri thirrje për dialog.
Vizitës së Palmer i parapriu vizita e zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonanathan Moore, i cili zhvilloi disa takime, ndërsa publike për mediat u bë vetëm takimi i deputetes të partisë Demokratike, Rudina Hajdari dhe ish kryeministrit Sali Berisha.
Vizita e diplomatit amerikan duket si një “dejavu” e dy viteve më parë, kur krizës politike i dha zgjidhje zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Bryan Yee, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Palmer do të marrë rolin e negociatorit mes palëve.
Megjithatë ndikimi i Matthew Palmer u duk që në fillimet e krizës.
Një ditë para se deputetët e opozitës të linin mandatet, Palmer zhvilloi dy biseda telefonike me liderët e opozitës Bashën dhe Kryemadhin, ndërsa pas komunikimit me zyrtarin amerikan, edhe pse opozita nuk u tërhoq nga akti ekstrem, protesta e e saj rezultoi e qetë dhe pa akte dhune, ndryshe nga ajo e 16 shkurtit.