Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka marrë pjesë në forumin e nivelit të lartë “Energy Transition Dialogue”, që është zhvilluar në Berlin të Gjermanisë, me pjesëmarrjen e ministrave dhe përfaqësuesve të shoqatave të energjisë nga 90 vende të botës.
Qëndrueshmëria e burimeve të rinovueshme si dhe siguria energjetike kanë qenë në fokus të diskutimeve të mbajtura në konferencë, por edhe në takimet me ministrat homologë.
“Berlin Energy Transition Dialogue është një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare përsa i përket energjisë, që zhvillohet çdo vit në Berlin. Këtë vit, temat kryesore që janë diskutuar ka qenë qëndrueshmëria e burimeve të rinovueshme si dhe siguria energjetike, çështje të cilat janë shumë të rëndësishme dhe për Shqipërinë. Ne jemi duke punuar për diversifikimin e energjisë së rinovushme, jo vetëm të prodhuar nga uji, por të prodhuar edhe nga parqet eolike, apo parqet fotovoltaike”, është shprehur ministrja Balluku pas përfundimit të konferencës.
Konferenca është zhvilluar nën kujdesin e Qeverisë Federale Gjermane, ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Energjisë, Peter Altmaier si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Heiko Maas kanë marrë fjalën në forum, duke nënvizuar rëndësinë që i kushton qeveria e tyre zhvillimit të sektorit të energjisë së rinovueshme
Në këtë kontekst ministrja Balluku ka theksuar: “Vëmendja e Qeverisë Federale Gjermane në çështjet e energjisë është një nga nxitësit kryesor të zhvillimeve në Europë, gjithashtu një mbështetëse kryesore ndaj Qeverisë Shqiptare për çështjet energjetike dhe energjinë e rinovueshme. Gjatë takimeve të sotme me kolegët e mi, të cilët vinin nga 90 vende të botës, kemi shkëmbyer shumë ide dhe mendime për zhvillimin energjetik në të ardhmen”.
Konferenca e nivelit të lartë ministror, “Energy Transition Dialogue” në vitet e fundit është shndërruar në një forum udhërrëfyes për zhvillimet në sektorin e energjisë. Në takimin e këtij viti fokusi i diskutimeve ishte tranzicioni i integruar drejt energjisë së rinovueshme, çka do të ketë një impakt të ndjeshëm në uljen e nivelit të shkarkimeve të CO2 në atmosferë.
Gjithashtu gjatë forumit, theksi u vendos tek gjetja e një ekuilibri mes zhvillimit të sektorit energjitik dhe mbrojtjes së mjedisit, si një nga objektivat mbarëbotërore, në kushtet e emergjencës ku planeti ndodhet.
Në forum spikatën si folës dhe figura të shquara me kontribute të veçanta në fushën energjetike apo në sensibilizimin e rrezikut mjedisor, të cilët treguan eksperiencat e tyre të vyera në procesin e rëndësishëm, por dhe të vështirë të tranzicionit të energjisë si Komisionerja Dr. Amani Abou-Zeid dhe ish-Presidentja e Irlandës, Znj. Mary Robinson.