Aktualitet Kush është Klement Çala, i dyshuar si një nga autorët e grabitjes...

Kush është Klement Çala, i dyshuar si një nga autorët e grabitjes në Rinas

Zbulohet identiteti i njërit nga personat e dyshuar si të përfshirë në grabitjen spektakolare të aeroportit të Rinasit.

Një nga personat që po verifikohet nga Policia e Shtetit për përfshirjen në grabitjen e Rinasit, është 31-vjeçari, Klement Çala.

Çala është i njohur nga forcat e rendit, pasi ai është shpallur në kërkim në vitin 2017, bashkë me Admir Muratajn, si të përfshirë në grabitjen e autoblindave në Qaf-Kashar që po shkonin drejtë Rinasit më 9 shkurt.

Ai ka qenë i akuzuar nga Greqia për grabitjen e 1 milionë eurove bashkë me Admir Muratajn te Bankës Kombëtare Greke në qendër te qytetit te Larisës dhe është shpallur në kërkim që prej vitit 2013.

Gjithashtu, Çala është ndër pjesëtarët e grupit të Ilir Kupës që u arratisën nga burgu i Trikallës në Greqi.

Ai së bashku me Ilir Kupën dhe Admir Muratajn kaluan kufirin e gjelbër dhe u fshehën në Shqipëri.

Mirëpo, Klement Çala është arrestuar më parë në Vlorë, por mbetet mister se si është liruar nga gjykata me gjithë akuzat e ngritura ndaj tij.

Arrestimi në Vlorë më 29 qershor 2015

Klement Çala u arrestua ne Vlore me dt 29 qershor 2015.  Në momentin e arrestimit, Çala ishte duke drejtuar një automjet tip “Benz” me targë, AA 447 KO.  Ai braktisi mjetin dhe tentoi te largohej me vrap, por u neutralizua nga efektivet e policisë,  te cilët kishin rrethuar vendin ku u be ndërhyrja.

Në momentin e kapjes ai iu prezantua Policisë si shtetas kosovar me identitetin Semir Koca, i cili dispononte një Pasaportë dhe një ID, me të njëjtin emër që i përkasin Republikës së Kosovës.

AKUZAT

Klement Çala u arratis nga Burgu i Trikallas në Greqi, së bashku me Ilir Kupën dhe disa persona të tjerë në vitin 2013-ën. Autoritetet greke e kane shpallur në kërkim Ndërkombëtar pasi e akuzojnë (në mungesë) për:

Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim përfitime financiare me përdorimin dhe mbajtjen materialeve shpërthyese dhe armëve; grabitje me armë në bashkëpunim;

vjedhja e objekteve të vlerave të larta nga institucionet financiare; vjedhje/grabitje në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur; tentativë vrasje në kuadër të konkurrencës kriminale në bashkëpunim; etj.

Nëse akuzat e ngritura nga shteti Grek vërtetohen nga autoritetet greke, ky shtetas rrezikon dënimin maksimal të mundshëm “burgim të përjetshëm” për  veprat e mësipërme.