Deputeti Ben Blushi ka kritikuar sot në Parlament Brukselin dhe qeverinë shqiptare për çështjen e ndezur në Veri të Kosovës.
Blushi ka kritikuar BE-në, duke i kërkuar të mbajë qëndrim për provokimet e serbëve në Veri të Kosovës.
Ai ka thënë se nëse Mitrovica i bashkohet Serbisë, atëherë Shqipëria do të bashkohet me Kosovën.
Kjo, sipas Blushit është një veprim i imponuar.
Blushi gjithashtu shigjetoi Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, duke thënë se diplomacia shqiptare ka qenë me e dobët këto dy vjet.
“Kosova mund të jetë viktimë e një bote të lodhur pa konflikte. Të gjithë e dimë se janë të shumtë ata që mendojnë se në raste krizash, duhet një luftë për të hapur tregje të reja ekonomike. Për fat të keq, BE-ja nuk ka një qëndrim për Kosovën.
Prej kohësh BE nuk ka qëndrim për shumë çështje. Dalja e Britanisë nga unioni, zgjedhjet në SHBA dhe terrorizmi e kanë bërë më të dobët BE-në dhe kanë zbehur faktorin shqiptar në Ballkan”, tha Blushi.
Sipas tij, këto zhvillime kanë mbrehur Serbinë, e cila mendon sipas Blushit, se me afrimin e Ramës me Vuçiçin, Shqipëria është neutralizuar dhe nuk është më faktor në Kosovë.
Blushi thotë se nëse ndryshojnë kufijtë në Ballkan, atëherë Shqipërisë i lind e drejta e imponuar që të bashkohet me Kosovën.
“Ata mendojnë se e kanë zbutur Shqipërinë. Ajo tashmë nuk është më faktor për Kosovën. Shqipëria është faktori më i dobët, në Kosovë, që po i ndihmon serbët.
Unë kam propozuar një rezolutë. Nëse Kosova ndahet në Veri, pasoja duhet të ishte kjo: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Ky është i vetmi rezultat i arsyeshëm. Unë shpresoj që kjo, nuk ka për të qenë një fantashkencë.
Nëse ka ndryshime kufijsh në Ballkan, Shqipëria ka rolin e vet. Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë një rol më të madh.
Dhe sidomos në Kosovë. Presioni i këtij parlamenti, do t’i ndihmonte kosovarët, për t’i bindur, së nëse serbët e Veriut të Kosovës kanë mbrapa tyre Serbisë, shqiptarët e Kosovë s’kanë prapa tyre Shqipërinë”, tha Blushi.
Ai foli edhe për rolin e dobët të diplomacisë shqiptare, e cila sipas tij ka pasur një axhendë personale.
“Shqipëria nuk e mori dot statusin e vendit kandidat. Kjo e ka rënduar peshën e Shqipërisë në Ballkan. Ne jemi në NATO por simbolikisht, s’kemi asnjë votë.
Diplomacia jonë është pa plan, pa koherencë dhe totalisht i e personalizuar. Është dekor personal i kryeministrit.
Në dy tri vitet e fundit çfarë kemi arritur ne? Diçka që s’na vlen. Kemi sheqerosur marrëdhëniet me Serbinë; kemi dobësuar marrëdhëniet me BE-në; kemi luajtur ruletë ruse me SHBA-të; kemi helmuar marrëdhëniet me Greqinë; kemi marrëdhënie kaotike me Maqedoninë.
Duke qenë e dobët, Shqipëria sot s’ka mundësi ta ndihmojë Kosovën. Investimi i Ramës në Beograd sot nuk vlen”, tha Blushi.