Grida Duma e Ervin Salianji, kanë komentuar krijimin e partisë “Bindja Demokratike”, që ka si koordinator Astrit Patozin.
“Nuk kam asnjë koment për partinë e Patozit. Është vendimi i tyre, por besoj se nuk ia vlen t’i bësh asnjë koment”, shprehet Duma për A2 CNN.
Ish-deputeti Ervin Salianji thotë se lëvizja e Patozit nuk ishte surprizë. Sipas tij, jo vetëm Patozi, por edhe anëtarë të Bordit të “Bindjes Demokratike”, kanë punuar që në 2013 kundër Partisë Demokratike. “Në fakt, që prej 2013-ës, një pjesë e themeluesve të BD-së, bordi, apo çfarë quhen ata, kanë punuar kundër PD-së.
Kanë shpresuar dhe punuar se duke rrëzuar Berishën do ti merrnin partinë. Për inat të Bashës votonin për Ramën dhe pa diskutim që për aq vota sa mund të kenë 700-800 në të gjithë Shqipërinë, do të jenë vota që i ikin Edi Ramës”, shprehet Salianji po për A2 CNN.
Ata thonë se Patozi duhet të tregojnë se sa mbështetje ka, pa qenë përfaqësues i PD-së.
“Në Shqipëri janë krijuar vazhdimisht parti dhe le të provojë veten në zgjedhje kur mund të rregjistrohet si subjekt. Dua të them se opozita nuk mund të kultivohet as në kuvend dhe as jashtë tij”, shprehet Edmond Spaho.
Jorida Tabaku nuk sheh vlerë të shtuar në skenën politike të asnjë force të re. “Besoj se ka mjaftueshëm informacion, ka mjaftueshëm parti, ka mjaftueshëm, ide, njerëz, për ta lënë të vetëm Edi Ramën.
Kush mendon dhe përpiqet që të kalojë situatën, unë mendoj se nuk i shërben të mirës publike”, thotë Tabaku. Ndërsa Gazment Bardhi “merr hua” qëndrimin e shprehur nga kryetari Basha. “Ka një qëndrim të kryetarit Basha, të cilin unë e mbështes”.