Politika Përfundon takimi me Sorekën, Mediu: Ja pse Presidenti duhet të thërrasë tryezën...

Përfundon takimi me Sorekën, Mediu: Ja pse Presidenti duhet të thërrasë tryezën e partive politike

Ka përfunduar takimi i Ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca me partitë e vogla opozitare në vend.

Takimi filloi në orën 16:00 në zyrat e delegacionit të BE, ndërsa të pranishëm ishin krerët e LZHK, PAA, PBDNJ, PDK dhe PR. Pas përfundimit të takimit, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka dalë me një kërkesë për Presidentin Ilir Meta, për të cilin tha se duhet të thërrasë tryezën e partive politike për të parë nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira të ndershme.

“Ky është një takim i thirrur nga ne sepse është e nevojshme të gjejmë një zgjidhje që t’i shërbejë interesave të Shqipërisë. Secili duhet të luajë rolin e vet. Presidenti duhet të thërrasë tryezën e partive politike për të parë nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Me kontributin e të gjitha palëve politike ne të arrijmë të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme dhe përfaqësimin e të gjitha subjekteve politike. Çdo lojë tjetër do të ishte shkatërruese për vendin dhe ne mendojmë që është përgjegjësi jona që të negociojmë me të gjitha palët dhe institucionet që duhet të mundësojnë këtë dialog”, tha Mediu.