Sfida kundër Juventusit padyshim që do të vendosë shumë nëse do të “blindohet” kualifikimi në Championsin e vitit të ardhshëm.
Për këtë, Spalletti shfaqet besimplotë në konferencën e fundit përpara ndeshjes, teksa ka folur për distancën me Juventusin tashmë kampion për të tetin vit radhazi, të ardhmen e klubit dhe të tijën personale, por edhe për një bilanc në fund të sezonit.
“Distanca me bardhezinjtë mund të reduktohet vetëm përmes lojës së mirë, e nga kjo pikëpamje nuk është se kemi qenë shumë larg”, është shprehur Spalletti.
Sa i përket të ardhmes, ai kërkon që stafi drejtues të bëjë më të mirën për Interin, por “nëse mes ndryshimeve do të përfshihem edhe unë, sigurisht do ta pranoj”.
Megjithatë, një largim i mundshëm i Spallettit nuk do të jetë edhe kaq “në heshtje”.
“Në fund të sezonit do të bëj publik, me emër e mbiemër, të gjithë ata lojtarë që janë sjellë në mënyrë korrekte me mua dhe me punën që bëjnë, e po ashtu edhe ata që kanë qenë ‘të pandreqshëm’”, deklaron Spalletti.
Një prej këtyre të fundit mund të jetë edhe Icardi, me të cilin raportet janë përkeqësuar sidomos prej fillimit të këtij viti, kur mungesa e golit e detyroi argjentinasin të humbiste vendin e titullarit, e më pas edhe shiritin e kapitenit.