Një gjykatë në Uashington dënoi me 18 mua Maria Butinën, aktivisten ruse për të drejtat e armëmbajtjes, e cila ishte përpjekur të depërtonte në qarqet politike konservatore amerikane dhe nuk ishte regjistruar si përfaqësuese e huaj.
30-vjeçarja Butina kishte kërkuar një dënim të barabartë me kohën e burgimit që kishte vuajtur deri tani si dhe deportim, meqenëse kishte rënë dakord të bashkëpunonte me prokurorët amerikanë.
Në dhjetor, ajo pranoi fajin se në bashkëpunim me një zyrtar të lartë rus ishte përpjekur të depërtonte në Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe në qarqet politike konservatore amerikane për llogari të Kremlinit nga viti 2015 deri sa u arrestua në korrik 2018.
Ajo është shtetasja e parë ruse e shpallur fajtore se u përpoq të ndikonte politikën amerikane në prag të zgjedhjeve të 2016-s.
Butina pranoi se punonte si agjente e padeklaruar e një qeverie të huaj, por nuk u akuzua për spiunazh.
Gjykatesja federale Tanya Chutkan që dha dënimin të premten tha se Butinës do t’i njihet periudha që ka qëndruar në paraburgim dhe se do të deportohet në Rusi me të kryer dënimin me burg.
Butina, e veshur me uniformën e burgut, reagoi duke shprehur emocione ndaj vendimit. Ajo u lut që ndaj saj “të tregohej mëshirë dhe që t’i jepej shansi të kthehej në shtëpi për të rindërtuar jetën e saj’. Por gjykatësja
Chutkan tha se vendimi për dënimin e Maria Butinës ishte marrë për shkak të seriozitetit të veprës penale që ajo kishte kryer.
Gjykatësja tha se megjithëse Butina nuk ishte spiune dhe kishte bashkëpunuar me hetuesit, veprimet e saj kishin vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Amerikës.