Kulturë Faleminderit Sandër!

Faleminderit Sandër!

Është shtatëdhjetëvjetori i lindjes tënde! Ndihem pak i çuditur kur e mendoj këtë numër vitlindjeje për ty. Kjo sepse ti gjithnjë je dukur i pamoshë, një prej atyre para të cilëve dhe koha e humbet kuptimin.

Dikur, mosha shtatëdhjetëvjeçe na dukej shumë e madhe, dhe gjithnjë e krahasonim me më të vjetrit që ndeshnim rrugëve. Por tashmë që kohët dhe ne kemi ndryshuar, shtatëdhjeta është moshë e artë, ende energjike, apo siç e quajnë në perëndim “rinia e tretë”. Megjithatë, për mua ti sërish je i pamoshë. Mbetesh gjithjë sfidant i kohës, epokave, sistemeve.

Shpesh, kur eci nëpër lagje, e ndiej mungesën tënde, ashtu siç e ndiej edhe rrugëve që na lidhnin me punët dhe angazhimet, kohë e pa kohë. Ndiej mungesën e ecjes tënde, takimeve, që edhe pse mund të qëllonin të shkurtra, përcillnin tek unë mjaft energji dhe forcë. Rrallë mund të takosh në jetë njerëz si ty, intelektual dhe qytetar fisnik në kuptimin më të plotë të fjalës, të cilët gjithnjë e kthenin shqetësimin në forcë e përcillnin kurajë, duke thyer trishtimin dhe dhimbjen. Ti dije ti jepje zemër të zhyturit në dëshpërim, të përcillje dashuri edhe atje ku ajo nuk ishte, t’i jepje forcë sakrificës dhe dritë mugëtirës.

Kur isha i vogël, u rrita me muzikën tënde, por më pas u ndjeva me fat që të njoha nga afër. Në bisedat e shumta, të cilat unë i mbaj në kujtesë, kemi thënë shumë gjëra. Disa gjëra ndoshta i kemi lënë pa thënë. E admiroja muzikantin tek ty, por po ashtu admiroja thellë edhe Njeriun Aleksandër Lalo. Ti ishe rebeli që kur nuk pajtoheshe me padrejtësinë dhe injorancën. Të jesh e të mbetesh Njeri në këtë epokë që po jetojmë është e vështirë. Ti ishe ndër ata pak njerëz që kam pasur fatin të njoh, që munde të ishe i tillë. Dhe kjo është një vlerë, një model që rrëfen se asgjë e bukur nuk shuhet e vdes.

Mund të shkruaja shumë për ty. Por sot dua të shkruaj ato që nuk t’i thashë dot në sy.

Gjithnjë sa herë takoheshim të shtrëngoja duart. Ishin ato duar që kishin shkruar muzikën e mrekullueshme që kishte buruar nga mendja, zemra dhe shpirti yt. Sot do të doja të t’i puthja me respekt. E pra, të puth duart Aleksandër Lalo! Ti je i gjallë gjithmonë sepse nuk mund të vdesësh kurrë. Dua të të them po ashtu se jam ndihem me fat që ke qenë pjesë e bukur e jetës time dhe që gjithnjë ke përçuar tek unë energji, forcë dhe kurajë.

Faleminderit Sandër!

KLITON NESTURI

Tiranë, 27 Prill 2019