Pas tensioneve të muajve të fundit, presidenti Macron pret sot homologun e tij italian, Mattarella për të festuar miqësinë franko-italiane, pikërisht në ditën që përkon me 500-vjetorin e vdekjes së Leonardo da Vinçit.
Më 2 maj 1519, piktori dhe shkencëtari i shkëlqyer (i lindur në vitin 1452) vdiq në kështjellën Clos-Lucé d’Amboise, tre vite pasi u ftua në Francë nga mbreti Fransua I.
I shoqëruar nga bashkëshortja, Brigitte dhe ministri i Kulturës Franck Riester, Emmanuel Macron do të takohet me Sergio Mattarellan në varrin e piktorit. Artisti qëndron që nga Revolucioni Francez në kishëzën Saint-Hubert të kështjellës mbretërore Amboise, pranë Tours, në qendër të Francës.
Pas vizitave në kështjellën mbretërore dhe Clos-Lucé ku do të drekojnë, dy krerët e shteteve do të udhëtojnë në Chambord ku do të kalojnë një orë e gjysmë me 500 të rinj francezë dhe italianë për të festuar Rilindjen Europiane.
”Kjo vizitë ka një qëllim të trefishtë”, shpjegon rrethi që shoqëron presidentin.
”Një dëshmi e miqësisë me Italinë, kremtimin e kulturës europiane dhe një takim me të rinjtë e të dy vendeve, shenjë e një trashëgimie të përbashkët që po krijohet për të ardhmen”, shton ai.
Gjithashtu janë të ftuar arkitekti i njohur Renzo Piano, shkrimtari Alessandro Baricco si dhe astronauti Thomas Pesquet dhe kolegia e tij italiane Samantha Cristoforetti, të cilët kanë kaluar secili prej tyre gjashtë muaj në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Alessandro Baricco ka planifikuar të bëjë një “story” në Instagram me të rinjtë, gjatë një atelieje me tre imazhet e veprave të kultit të Leonardo da Vinçit.
Në fillim të marsit, Emmanuel Macron kishte ftuar Sergio Mattarellan, me të cilin mbante marrëdhënie shumë të ngushta, për këtë përvjetor në Amboise dhe Chambord, më i madhi në kështjellat e Loire.
Ndërtimi i kështjellës filloi disa muaj pas vdekjes së piktorit, por u frymëzua nga planet e tij, veçanërisht për revolucionin e tij të dyfishtë të shkallëve.
“Roli esencial”
Takimi mes dy presidentëve është në kontekstin e zgjedhjeve europiane, ku populistët mund të fitojnë më shumë peshë në Parlamentin Europian.
Elysse shkruan në sitin e saj se Sergio Mattarella ka luajtur një “rol jetik” në muajt e fundit për rifillimin e dialogut midis Parisit dhe Romës, pas krizës më serioze diplomatike midis dy vendeve që nga Lufta e Dytë Botërore.
Qeveria populiste në pushtet në Romë dhe ajo e Emmanuel Macron ”u përleshën” për muaj me radhë mbi emigracionin e paligjshëm, mbështetjen e shfaqur të Italisë për jelekverdhët që shfaqen çdo të shtunë kundër qeverisë në të gjithë Francën, por edhe për muzeun ”Leonardo da Vinci” në Romë, duke qortuar Parisin për përvetësimin e trashëgimisë së piktorit.
Kriza arriti kulmin në fillim të shkurtit, kur zëvendëskryeministri Luigi Di Maio u takua me një nga udhëheqësit e lëvizjes së jelekverdhëve, Christophe Chalençon.
Për të protestuar, Parisi kujtoi momentin kur ambasadori i Francës ishte në Itali.
“Kur ambasadori ynë, i cili u kthye në Romë, u takua me presidentin Mattarella, fjalët ranë në një ton më të ulët dhe ne pamë më pak provokime të qeverisë italiane”, shkruan Elysee.
Ekspozimi i dyfishtë
Sekretarja italiane e Shtetit për Kulturën, Lucia Borgonzoni, anëtare e Legës, shkaktoi gjithashtu një polemikë në nëntor, duke vënë në dyshim marrëveshjen që parashikon huazimin nga Italia të Francës për pikturat e Da Vincit për një ekspozitë të madhe në tetor në Luvër.
Në këmbim, Franca duhet të huazojë veprat e Rafaelit për një ekspozitë të planifikuar në vitin 2020 në Romë.
“Leonardo është italian, thjesht ka vdekur në Francë,” tha ajo.
Një takim në fund të shkurtit në Milano midis ministrave të kulturës Alberto Bonisoli dhe Franck Riester ka mundësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Mattarella do të pritet sot nga ministri i Kulturës në oborrin e Katedrales së Notrë Damit, pjesërisht i djegur nga një zjarr i madh që ka tronditur botën./ Nga Laurence Benhamou/AFP