Për heqjen e tabelave në gjuhë greke në jug të vendit, ka reaguar ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos. Në një intervistë për mediat greke, Katrugalos shprehet se është në kontakt me qeverinë shqiptare.
“Radha e gjuhës në tabela sipas Shqipërisë, është fillimisht shqip pastaj greqisht. Mbetet të shohim si do veprohet për tabelat. Morëm përgjigje nga Shqipëria. Na thanë se heqja e tabelave u bë për të ndryshuar radhën, fillimisht shqip, pastaj greqisht. Për çështjen e pronave të minoritarëve grek, ka vonesa”, – tha ministri i Jashtëm i Greqisë.
Katrugalos foli edhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Në qershor do të shohim se cila do të jetë ecuria, nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të qenë vend kandidat ose jo”, – tha Katrugalos.
Pak ditë më parë PDIU denoncoi vendosjen e tabelave në gjuhën greke në gjithë jugun e vendit. Pas denoncimit ARRSH dhe Policia hoqën tabelat.
Ligji shqiptar përcakton se në zonat minoritare, tabelat mund të jenë në gjuhën që flet minoriteti, por si gjuhë e parë duhet të jetë shqipja. Ndërkohë në të gjitha tabelat që u vendosën në jug të vendit, gjuhë e parë ishte greqishtja, pastaj shqipja.