Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar pas vendimit të Presidentit Meta për të rrëzuar kërkesën për shkarkimin e rektorit Mynyr Koni.
Ministrja Shahini shprehet e zhgënjyer mbi vendimin e Metës, duke u shprehur se ky vendim është qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit.
“Jam e zhgënjyer me vendimin e Presidentit të Republikës për të refuzuar shkarkimin e rektorit Koni! Për mua është e pakonceptueshme që institucionet e larta shtetërore të marrin vendime të tilla, qartazi në dëm të interesit publik dhe haptazi në mbështetje të një shkelësi të ligjit! Në rastin konkret, vendimi i Presidentit i bën dëm 26,000 studentëve dhe pedagogëve të Universitetit të Tiranës, të cilët për herë të parë pas disa vitesh në një ngërç absurd që e ka kthyer universitetin në shembullin e mosfunksionimit ligjor e demokratik, përjetuan një moment normaliteti ligjor dhe demokratik”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ministres Shahini.
Një ditë më parë, Presidenti Ilir Meta e rrëzoi kërkesën e ministres për shkarkimin e rektorit me pretendimin se problemi që sjell mosfunksionimin e ligjit të Arsimit të Lartë nuk është Mynyr Koni, por fakti ministria e Arsimit që nuk ka nxjerrë aktet nënligjore të ligjit për Arsimin e Lartë.
Pas deklaratës së ministres Besa Shahini ka reaguar menjëherë edhe Presidenca me anë të zëdhënësit. Presidenca thotë në reagim se Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentet ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumente ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër. Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentet ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe. Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre”, mbyllet reagimi i Presidencës.