E premtja ishte dita e Antonio Kontes. Edhe pse në Madrid, nga ku do të bëjë opinionistin për rrjetin “SKY”, Andrea Pirlo nuk ka hezituar të flasë për pritshmëritë që ka mbi karrierën e trajnerit të ri të Interit. Pa shumë lojëra fjalësh, ish-mesfushori ka deklaruar: “Nga Antonio pres një sezon fantastik. Ai vjen pas një viti pushim dhe duke e njohur e di se sa entuziast mund të jetë. Të ishte në dorën e tij, skuadra do të niste punë që sot. Nuk mund të bëj parashikime, por nga Konte pres që të zhvillojë një sezon të madh te zikaltrit, të karakterizuar me organizim, dëshirë dhe sidomos rezultate”.
Pas largimit nga Milani, Pirlo kaloi te Juventusi ku pati mundësi të punonte pikërisht në krah të Antonio Kontes, me të cilin fitoi edhe një titull kampion Italie. Pavarësisht Champions-it të fituar me Ançelotin, 40-vjeçari ka veçuar pikërisht Konten si teknikun më të mirë, pranë të cilit ka punuar gjatë karrierës së tij si futbollist.
“Për mua është trajneri më i mirë që kam pasur në karrierë. Pavarësisht mënyrës sesi u largua nga Londra, te Çelsi bëri një punë të mirë, e cila u kurorëzua me fitimin e kampionatit dhe FA Cup. Probleme me skuadrën nuk pati. Nëse kishte ndonjë paqartësi, ajo kishte të bënte me presidencën, jo më kot Çelsi në dhjetë vitet e fundit ka ndryshuar aq shumë trajnerë. Kjo tregon se nuk janë këta të fundit problemi, por vetë drejtuesi e klubit londinez”, ka sqaruar Andrea Pirlo.