Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar kuqezinjtë e Kombëtares shqiptare të futbollit pavarësisht humbjes 1-0 në Reikjavik ndaj Islandës.
Kryeministri shprehet se Kombëtarja tregoi “shpirtin luftarak të kohëve të mira, që u rishfaq sot pas një stine të mërzitshme pa lidhje”.
“Gjynah ai gol se ndeshja ishte barazim i pastër, po sidoqoftë përgëzime kuqezinjve për shpirtin luftarak të kohëve të mira, që u rishfaq sot pas një stine të mërzitshme pa lidhje! Sot pamë një skuadër që nisi një rrugë të re ku patjetër do vijnë dhe rezultatet”, u shpreh Rama në një reagim.
Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 1-0 në Reikjavik ndaj Islandës. Goli i vetëm i takimit u shënua nga në minutën e 22-të nga Sigmundsson.
Kjo ishte ndeshja e tretë e Shqipërisë në këto eliminatore, dy prej të cilave i ka humbur dhe aktualisht renditet në vendin e katërt, me vetëm 3 pikë, të cilat i ka marrë në transfertën ndaj Andorrës.
Sfida e radhës për Shqipërinë do të jetë pas 3 ditësh në “Elbasan Arena”, këtë herë përballë rivalit tjetër modest të grupit, Moldavisë.