Boris Johnson pati një mesazh për Brexitin përpara nisjes së fushatës së tij për t’u bërë kryetar e i Partisë Konservatore dhe kryeministër i ardhshëm i Britanisë: Shtyrje të mëtejshme, nuk mund të ketë!
Politikani rebel këmbëngul që shkëputja e Mbretërisë së Bashkuara nga Blloku Europian të realizohet në 31 tetor.
Çdo zvarritje sipas Johnsonit, do të nënkuptonte një disfatë për partinë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Një nga argumentet e forta në garën për lidershipin konservator është se fitorja zgjedhore si kryebashkiak i Londrës e bën praktikisht personin më të aftë për të mposhtur kreun opozitar, Jeremy Corbyn.
Fushatën sot e nis dhe sekretari i brendshëm, Sajid Javid, i cili pretendonte në videon e publikuar me këtë rast se do t’i sjellë një “pamje të re” Partisë Konservatore dhe se ishte personi i duhur për të shëruar ndasitë e thella që ka shkaktuar Brexiti.
Johnson dhe Javid janë të fundit e 10-shes së kandidatëve konservatorë që synojnë frerët e ekzekutivit duke zëvendësuar në krye të qeverisë kryeministren e dorëhequr, Theresa May. Aktualisht, Boris Johnson konsiderohet si njeriu që kryeson garën, me një përkrahje më të madhe nga ligjvënësit konservatore se çdo kandidat tjetër.