Parlamenti nesër do të diskutojë në seancën plenare një pr/rezolutë për zhbërjen e dekretit të Presidentit të Republikës, që përcaktonte 30 qershorin si datë për zhvillim e zgjedhjeve për pushtetin vendor në Shqipëri.
Rezoluta mund të pasojë me procedurën e kërkesës për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës, që duhet të votohet nga 2/3 e Kuvendit të Shqipërisë. Në lidhje me këtë çështje ka qëndrime pro e kundër. Për të folur mbi këtë dhe çështje të tjera që lidhen me aktualitetin politik i ftuar sot në Top Talk ka qenë i ftuar deputeti Myslym Murizi.
Pak minuta pasi Meta firmosi sekretin që anulonte zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, PS mblodhi kryesinë nga ku u njoftua edhe nisja e procedurave për shkarkimin e Presidentit Meta për shkelje të Kushtetutës.
Por për deputetin opozitar, Myslim Murrizi, PS nuk do ta shkarkojë Metën, sepse është produkt i kësaj mazhorance, por edhe sepse ajo çfarë do të diskutohet në Kuvend këtë të enjte nuk është shkarkimi i Metës.
“Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve nuk është rezolutë për të shkarkuar Ilir Metën. Projektrezoluta e nesërme nuk ka nevojë për shumicë të cilësuar. Ajo kalon me shumicë të thjeshtë, Nuk kërkon 93 vota nesër. Është disa hapa për të shkuar tek ardhja e votave të 2/3. Unë besoj se nuk do ta shkarkojnë. Ky President është prodhim i kësaj mazhorance, pa asnjë votë nga krahu tjetër politik, paçka se një grusht militantësh që brohorisin përpara Parlamenti, që kërkojnë të kthehen në administratë, e quajnë fitore të madhe, shpëtues”, u shpreh Murrizi.
Presidenti Meta në argumentet e tij për shtyrjen e zgjedhjeve foli edhe për një rrezik të tretë që mund të cenonte zgjedhjet dhe mund të fusnin palët në konflikt.
Por për deputetin Muslim Murrizi këto janë thjesht deklarata e spekulime politike, e asgjë më tepër.
“Këto janë deklarata politike. Këtu janë një palë hajdutë që kanë ardhur me vota të vjedhura. Më thoni çfarë ka ndryshuar në këtë elitë politike prej 25 vitesh. Ke 10 emra që kanë kapur prej fyti shoqërinë shqiptare me një sistem bastard politik dhe janë kthyer 3 sekretarë të parë përfshirë edhe Presidentin e Republikës”, u shpreh ai, duke shtuar se “duhet të bëhet një gjë më e madhe që shqiptarët të heqin dorë. Kurrë s’ka pasur marrëveshje për interes të qytetarëve, përveç pazare të pista në emër dy tre katër individëve që kanë marrë vendime në këtë vend nga marsi i 91 deri më sot”.