Kryesore PS mbledh 55 firma për shkarkimin e Ilir Metës, kërkesa depozitohet nesër

PS mbledh 55 firma për shkarkimin e Ilir Metës, kërkesa depozitohet nesër

Grupi Parlamentar i Partisë Socialite ka mbledhur 55 firma për të kërkuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

Për kërkesën e shkarkimit mjaftojnë 35 firma që ajo të depozitohet në Parlament, por socialistëve u janë bashkuar edhe disa deputetë që kanë marrë mandatet pas largimit të PD dhe LSI.

Kjo kërkesë pritet të depozitohet në Parlament gjatë paradites së nesërme.

Sot në Parlament u miratua me 100 vota rezoluta ku dënohej vendimi i Metës për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

Për shkarkimin e Ilir Metës si president duhen 94 vota, por miratimi i rezolutës nga 100 deputetë tregoi sot se Edi Rama i ka votat për të larguar nga zyra më e lartë e shtetit personin që dërgoi aty dy vite më parë.