Këto ditë po flitet shumë për dasmën e Sergio Ramos, e cila konsiderohet si më pikantja e vitit. Kapiteni i Real Madridit do të shkojë në altar me partneren e saj, me të cilën ka tre fëmijë. Nga ky shembull duket se është frymëzuar edhe zv.kapiteni ynë kuqezi, Elseid Hysaj. Shkodrani i Napolit dhe i kombëtares shqiptare do ta djegë shaminë e beqarit më 22 qershor.
Ai do të shkojë në altar bashkë me Fiorenza Lekstakaj, me të cilën është në një lidhje prej vitesh dhe kanë së bashku një djalë. Nusja e Hysajt nuk është e panjohur për shqiptarët, sepse është shpallur “Miss Albania 2013”. Me të është njohur në Itali, ku jeton. Familja e mbrojtësit shkodran ka filluar përgatitjet për këtë ditë të shënuar, ndërkohë që janë shpërndarë edhe ftesat tashmë.
Pritet të jetë një dasmë e madhe, me rreth 400 të ftuar, e cila do të organizohet sipas traditave të dhëndrit dhe nuses. Dasma do të jetë e përbashkët për të dyja familjet dhe do të zhvillohet në një vend tejet të veçantë në Shkodër: Kalanë e Rozafës. Pra, pjesëmarrësit në këtë ceremoni të kuruar deri në detaje nga prezantuesja Alketa Vejsiu dhe kompania e saj e eventeve të këtij lloji, do ta kenë kryeqendrën e veriut në pëllëmbë të dorës atë natë, prej ores 20:30.
Çifti jeton prej disa vitesh bashkë, por ka kryer vetëm ceremoninë e fejesës. Më 22 qershor, ata do të shkojnë edhe në altar, duke i thënë “PO” e përjetshme njëri-tjetrit, në të keq e në të mire, sikurse e do edhe “kushtetuta” e celebrimit. Përveç të afërme të dy familjeve, në dasmë pritet të jenë edhe futbollistët e pjesëtarë të kombëtares kuqezi, por edhe figura të tjera publike në vendin tonë. Mysafirë specialë pritet të vijnë edhe nga Italia.