Politika Zgjedhjet e 30 qershorit, tensione në Tropojë dhe Shkodër

Zgjedhjet e 30 qershorit, tensione në Tropojë dhe Shkodër

Persona të paidentifikuar thyen xhamat dhe dyert e më pas hoqën materialet zgjedhore që ndodheshin brenda ambienteve për KZAZ-në numër 9 në Tropojë. Më herët, Bashkia kishte marrë vendimin për lirimin e qendrave të KZAZ-ve, pas anulimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit nga Presidenti.

Për të dytën ditë radhazi, tensione pati edhe në Shkodër, në KZAZ-në numër 2. Në ambientet e Pallatit të Sportit pati incident midis dy policive, asaj të rendit me atë bashkiake. Policia kërkoi të hapen ambientet e Pallatit të Sportit për të vendosur aty bazën materiale për zgjedhjet e 30 Qershorit, por kjo u kundërshtua nga Policia Bashkiake, e cila në nuk lejon që ky ambient të jetë i zënë për KZAZ.

Javën e shkuar, 3 bashki të djathta, ajo e Shkodrës, Burrelit dhe Kukësit  iu bindën vendimit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Me anë të shkresave zyrtare drejtuar Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe KQZ-së, zyrtarët lokalë kërkuan heqjen e listave të zgjedhësve, si dhe lirimin e menjëhershëm të Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, ambienteve të Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” në Burrel dhe ato të Qendrës Kulturore “Hasan Prishtina”, e palestrës sportive të shkollës së mesme të përgjithshme “Havzi Nela” në Kukës.