Policia nuk ka humbur kohë për të vënë përpara përgjegjësisë personat që sulmuan KZAZ-të në rrethe.
Sot ajo ka bërë publike listën e personave të arrestuar dhe proceduar në gjendje të lirë, nën akuzën e “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, e të tjerë.
Arrestimet në Mat
Në lidhje me sulmin e djeshëm, ku persona të ndryshëm kanë ushtruar dhunë ndaj Forcave të Rendit dhe Sigurisë, të cilët mbanin në ruajtje KZAZ-të dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore të KZAZ Nr. 16, që ndodhej në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa”, Bashkia Mat dhe KZAZ nr. 17, që ndodhej tek Biblioteka e qytetit, Bashkia Klos, policia arrestoi 9 persona dhe procedoi 24 të tjerë.
Arrestimet u bënë pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia.
Në pranga kanë rënë personat; E. D., 21 vjeç, banues në Burrel; Xh. Gj., 55 vjeç, banues në Burrel; M. D., 53 vjeç, banues në Burrel (Punonjës Policie i Bashkisë Burrel); E. T., 49 vjeç, banues në Klos; I. Ç., 44 vjeç , banues në Klos (Administrator i njësisë administrative Suç, Klos); M. Gj., 62 vjeç, banues në Klos; M. L., 38 vjeç, banues në Klos (Përgjegjës i zyrës së ndihmës ekonomike, Klos); R. D., 62 vjeç, banues në Klos (punonjës në mirëmbajtjen e rrugës, Klos); H. K., 46 vjeç, lindur në Klos e banues në Britaninë e Madhe.
Ndërkohë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas të tjerë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Mat, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.
Arrestimet në Kukës
Arrestime për të njëjtën arsye janë bërë edhe në Kukës, ku policia raporton se në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, tek gjimnazi “Havzi Nela”, në KZAZ nr.11 Kukës, ku disa persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë tentuar të dëmtojnë materialet zgjedhore, kanë prishur derën e palestrës dhe kanë vënë zjarr, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, bënë arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve, konkretisht; A. C., 46 vjeç, shofer në Bashkinë e Kukësit; E. H., 42 vjeç, shofer në Bashkinë e Kukësit; E. B., 26 vjeç, inspektor i Policisë Bashkiake dhe E. M., 35 vjeç, banues në Kukës.
Janë shpallur në kërkim 7 shtetas, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i paligjshëm i tubimeve”. Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë Kukës, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kundërshtimi i Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të Punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore, e mbetur në tentative”, “Organizim i paligjshëm i tubimeve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Arrestimet në Berat
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, ku disa shtetas kanë tentuar të futen forcërisht në ambientet e KZAZ nr 64 (tek Pallati i Kulturës Berat) dhe në ambientet e KZAZ nr 66 (tek Pallati Kulturës Skrapar) Specialistët e Seksionit për Krimet pranë Komisariatit Berat dhe Skrapar pas veprimeve hetimore, identifikimin e personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia ka nisur procedimin në gjendje të lirë për 40 shtetas, konkretisht: E.B, 34 vjeç, banues në Tiranë (sekretar organizativ i PD; B.B, 35 vjeç, N/Kryetar i Bashkisë Berat; H.S, 50 vjeçe, N/Kryetare e Bashkisë Berat; M.K, 32 vjeç, banues në Skrapar, Drejtor i Ndërmarrjes së shërbimit publik, K.Gj, 64 vjeç, shef i Policisë Bashkiake Berat dhe G.P, M.M, A.R, D.B, F.C, M.K, E.D punonjës të policisë Bashkiake Berat. Të proceduar janë edhe edhe shtetasit A.Z, A.G, J.M, A.Ç, A.I punonjës të policisë Bashkiake Skrapar, si dhe G.A, M.H, B.H, F.K, SH.M, K.E, E.Ç, M.V, R.Ç, S.Z, R.H, P.GJ, E.T, A.C, A.H, A.G, E.A, R.B, I.H, E.H, N.G, I.B, K.M, punonjës pranë këtyre bashkive dhe qytetarë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrim prone”.