Në 5 ditët e fundit të fushatës zgjedhore, Kryeministri Edi Rama ka lënë porositë për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit.
Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste në selinë rozë, Rama ka kërkuar nga anëtarët e partisë që të vijojnë fushatën dhe të mos bien pre e provokimeve.
Kreu i PS njëkohësisht dhe kreu i qeverisë, Rama ka kërkuar që fushata të vazhdojnë me qetësi dhe të shmangin provokimet.
Po kështu, Kryeministri është ndalur edhe te krimet elektorale, teksa ka porositur deputetët e tij që të zbatohet Kodi Zgjedhor dhe të mos ketë asnjë rast të tjetërsimit të votës. Njëkohësisht ka kërkuar edhe që të denoncohet çdo rast dhune.
Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste mbrojnë qëndrimin e tyre se zgjedhjet duhet të zhvillohen më 30 Qershor, pavarësisht krizës politike. Nga ana tjetër, opozita e cila ka bojkotuar këto zgjedhje, thotë se të dielën nuk do të ketë votime.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përmes një dekreti ka anuluar datën 30 Qershor të zgjedhjeve vendore. Por, KQZ dhe qeveria nuk e njohin këtë dekret duke e cilësuar të pavlefshëm dhe thonë se zgjedhjet do të mbahen në datën e përcaktuar.