Gerta ishte vetëm 3 vjeçe kur prindërit e saj u arratisën nga Bllata, fshati i Dibrës për në Greqi, megjithëse brenda saj kurrë nuk ishte shuar dëshira për të punuar dhe jetuar në vendin e saj.
Në rubrikën “Njerëz të Padukshëm”, kryeministri Rama ka ndarë historinë e veçantë të vajzës Dibrane e cila sot shërben si parukjere në Tiranë, e shkolluar në Greqi e Itali.
“Ne jemi arratisur në fakt në vitin 1988. Unë kam qenë akoma fëmijë. Jemi arratisur nga Bllata dhe jemi shpërngulur në Selanik. Pasi u rrita, u shkollova në Selanik, zgjodha që pasionin tim ta zhvilloja në një shtet tjetër, që ishte Italia. Studiova atje për një periudhë 3-vjeçare dhe u ktheva sërish në Selanik. Në shtetin fqinjë që unë u rrita, ndjehesha mirë, por asnjëherë shumë mirë dhe arti im nuk e gjeti asnjëherë vetën në Greqi. Unë isha më tepër me mendjen shumë më moderne seç duhej për në Greqi. Kështu që u ktheva në Shqipëri në vitin 2000″, -thotë ajo.
Gerta rrëfen se prindërit ishin kundra vendimit të saj për t’u kthyer në Shqipëri.
“Kthehem me shumë mund. Vij në Shqipëri. Mamaja imë më thotë: çfarë po bën moj vajzë. Të gjithë njerëzit duan të ikin nga ky vend ndërsa ti kthehesh. Unë thashë do kthehem e do t’ia dal. Mami më kërkonte në Selanik, unë kisha mbërritur në Tiranë.
Kam qenë gjithmonë një vajzë që bija në sy për gjatësinë. U vesha si çun, vura një kapele dhe thashë do iki, nuk do të më kuptojë njeri që jam vajzë. Hipi me një fugon dhe vij deri në Tiranë. E vetmja problematikë që kisha ishte pak me të folurin. Një mik i familjes së vjetër më thotë ke kohë për këtë gjë. Brenda dy viteve mësova të flisja mirë, vetëm se kisha theks nga jugu paçka se jam dibrane”, -thotë ndër të tjera ajo.
Por, cila ishte puna e saj e parë?
“Doja të punoja dhe nisa në një sallon të mirë të asaj kohe. Punova gjashtë muaj dhe të them të drejtën ishte pikënisje për mua. Idetë i kisha shumë të qarta dhe nuk kisha frikë të përballesha për çfarëdolloj mentaliteti që të arrija të kisha diçka timen, mbase edhe një zinxhir sallonesh.
Më pas vendosa të hap sallonin tim. Lë të themi sallon, dy vende pune. Ishte diçka shumë e vogël tek shtëpia e prindërve të mi. Kaluam tre vjet tek ai sallon dhe mendova të zgjerohesha dhe vendosa të marr diçka më të madhe me kredi. Qe nga ajo ditë nuk kam rreshtuar për tu zgjeruar vit pas viti. Tani ndodhem në një sallon, në një nga zonat më të preferuara të Tiranës, në bllok. Jam e kënaqur për momentin. Shpresoj që planet e mia për të ardhmen të bëhen realitet pasi kam akoma plane që dua të zgjerohem më shumë”.
Ajo tregon se nuk ka qenë shumë e thjeshtë në fillimet e saj.
“Nuk ka qenë shumë e thjeshtë. Problematika të ndryshme ka Shqipëria, por këto problematika i zbukuron femra shqiptare që të lejon të shpalosë çfarë ke ti brenda. E do të bukurën femra shqiptare dhe do të kurohet. Kjo është një pjesë që është ushqim për një të uritur kështu që për mua. Unë kam provuar të jetoj edhe në Itali, në Greqi. Kam qenë në shumë vende të botës. Mund të jemi një vend i varfër por jetën e shijojmë dhe Tirana të ofron shumë mundësi për ta shijuar”.