Politika Largimi i Metës, debat te Ligjet. Gjoni: Lojë politike. Fino: Me dhimbje...

Largimi i Metës, debat te Ligjet. Gjoni: Lojë politike. Fino: Me dhimbje do t’i paraqesim shkarkimin Parlamentit

Në Komisionin e Ligjeve në Parlament, po diskutohet kërkesa e 55 deputetëve, për shkarkimin e Presidentit Meta, pas vendimit të tij për të anuluar 30 qershorin si data e zgjedhjeve vendore.

Deputeti i LSI-së, Ralf Gjoni, e cilësoi të nxituar vendimin për shkarkimin e Presidentit Meta, duke theksuar se procedura e shkarkimit, është një lojë politike.

“Mendoj se është i nxituar vendimi për të shkarkuar presidentin, pasi ende nuk kemi të bëjmë me një akt për të delegjitimuar Parlamentin.

Mua më duket se kjo procedurë shkarkimi është një lojë politike që ju po bëni dhe është e pabazuar në Kushtetutë. Është një lojë që po hapet për të bërë zhurmë mediatike”, u shpreh Gjoni.

Ndërkohë, deputeti i PS, Bashkim Fino tha  se vendimi i Metës përbën shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës.

“Presidenti ka marrë një copë letër, ka shkruar çfarë ka dashur dhe i ka vendosur emrin dekret. Ajo që më bën përshtypje është letra që presidenti i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë për argumentet e ç’dekretimit.

Gjuha e përdorur prej tij është ironike, paragjykuese dhe hipokrite.

Jemi përpara një shkelje të nenit 92 të Kushtetutës dhe me dhimbje kemi marrë këtë masë që po ia paraqesim Parlamentit”, tha Fino.