26% më shumë shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian gjatë 3 muajve të parë të 2019-s. Kjo shënoi sërish një trend rritës të emigrantëve shqiptarë që kërkojnë azil për herë të parë, të cilët arritën në 1,645 nga 1,310.
Pjesa më e madhe e tyre, apo rreth 43% e totalit, aplikuan për azil në Francë. Duke qenë se shteti francez ndjek politika më pak shtrënguese në lidhje me azilantët, prej kohësh Franca është bërë destinacion kryesor i shqiptarëve që kërkojnë azil. Vetëm gjatë 2018-s numri i azilkërkuesve në Francë ishte 8,280, nga rreth 19 mijë aplikime që ishin bërë në të gjithë Bashkimin Europian për atë vit, sipas të dhënave të raportuara nga Eurostat.
Rreth 41 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në Francë që prej 2009-s, duke u renditur vendi i dytë pas Gjermanisë me numrin më të lartë të azilkërkuesve, ose 23% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit. Aplikimet janë rritur vitet e fundit, duke u bërë dhe vendi më i preferuar për të aplikuar si azilant për shkak të lehtësive që ofronte shteti francez, sidomos për familjet me fëmijë të vegjël.
Pas Francës, pjesa tjetër i është drejtuar kryesisht Gjermanisë. Eurostat ka raportuar të dhënat për të pestë muajt e parë të vitit për Gjermaninë, ku numërohen rreth 430 aplikime. Ndërsa për sa i përket tremujorit numri i aplikimeve është 285, apo 17% e totalit.
Pjesa tjetër e aplikimeve për tremujorin e parë janë kryer në vende si Mbretëria e Bashkuar, me 210 aplikime, Greqia me 160 aplikime, Holanda dhe Belgjika me përkatësisht 55 dhe 50 aplikime.
Në total, për periudhën 2009-2018, numri i aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët 178,515 aplikime, duke u renditur vendi i parë i Europës për nga numri i lartë i azilantëve, sipas shifrave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor. Rekordi u arrit në 2015-n, kur kishte rreth 69 mijë aplikime, për të zbritur në rreth 33 mijë në 2016-n, dhe 26 mijë në 2017-n.
Në raport me popullsinë Shqipëria renditet e para në botë për numrin më të lartë të aplikimeve për azil në BE, duke kaluar edhe popujt që ikin nga vendet me konflikte.