Dhjetë kandidatë demokratë u përballën mes tyre në debatin e parë televiziv në garën për të pasuar Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Liberalja Elizabet Warren ishte protagoniste e replikave të nxehta për kujdesin shëndetësor, emigracionin dhe çështje të tjera.
Senatorja e Massachusetts, e cila po përjeton rritje në sondazhe, ishte vetëm një prej dy kandidatë vë që tha se mbështeste zëvendësimin e sigurimeve private shëndetësore me ato shtetërore.
“Ka shumë politikanë që thonë se kjo është pamundur, se nuk mund të bëhet për arsye të ndryshme politike. Por kujdesi shëndetësor është një e drejtë bazike njerëzore dhe unë do të luftoj për të”, u shpreh Elizabeth Warren.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill De Blasio ishtë në një mendje me të. Por ish-kongresmeni John Delaney, një kritik i zëshëm i programit, ‘Kujdes shëndetësor për të gjithë’, i cili mbështet një qasje më universale ndaj shëndetësisë, duke përfshirë edhe sigurimet private, tha se demokratët nuk duhet të heqin dorë nga një sistem që amerikanët e duan.
“Mendoj se duhet të jemi partia që ruan gjithçka që funksionon dhe riparon ato që janë thyer”, deklaroi ish-kongresmeni John Delaney.
Pasi mbrojtën reformën më përfaqësuese të ish-Presidentit Obama për vite me radhë, demokratët nuk po dakordësohen dot mbi mënyrën e duhur për ta ndrequr atë. Përplasje pati edhe për emigracionin e paligjshëm dhe për praninë e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Në një reagim në Twitter, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si të mërzitshëm debatin e parë të demokratëve.
Më shumë se 20 kandidatë demokratë aktualisht janë duke kandiduar për të qenë i emëruari i partisë. Një debat i dytë, me 10 kandidatë të tjerë, përfshirë edhe favoritët Joe Biden dhe Bernie Sanders, do të realizohet mbrëmjen e së enjtes.