Kryeministri Edi Rama nuk është mjaftuar vetëm me injorimin për t’i shkuar në zyrë Presidentit Ilir Meta, por edhe e ka sulmuar atë në distancë duke deklaruar se sot selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës.
“Zyrtare sot: Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj. Çfarë karnavalesh politike”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Më tej, Kryeministri paralajmëron se me qetësi dhe dashuri do t’u japin një mesazh kumbues të dielën.
“Qeshni me ta dhe me qetësi e dashuri t’u japim një mesazh kumbues të dielën, duke votuar ose mos votuar, por duke qenë të gjithë bashkë në një mendje se Shqipëria s’mund të jetë kurrë, një shesh për përsheshin e gatuar tërë këta muaj, të cilin duhet ta hanë ata që na e servirën”, shkruan Rama.