Qyteti i Nju Jorkut ka rënë dakord që të dëmshpërblejë një grua me 610 000 dollarë e cila është detyruar të lindë ndërsa kishte duart në pranga.
Jane Doe ishte në qeli në një burg në Bronks pak orë pas arrestimit në 7 shkurt 2018 kur i nisën dhimbjet e lindjes. Ajo ishte arrestuar pasi kishte shkelur një urdhër ndalimi dhe ishte në gjyq me ish-partnerin për kujdestarinë e një fëmijë tjetër, tha avokatja e saj Katherine Rosenfeld, e cila gjithashtu shtoi se nuk ishte e nevojshme që klientja e saj të vihej në pranga pasi ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.
Sipas padisë së ngritur, ajo u dërgua në Qendrën mjekësore Montefiore në Nju Jork të nesërmen me pranga në duar dhe këmbë, një veprim që është ndaluar në shtetin e Nju Jorkut që prej vitit 2009. Po sipas padisë, efektivët që kanë kryer shoqërimin nuk kanë pranuar të heqin prangat pas kërkesës së mjekëve.
Mbi ta, dhe gjithë Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, u ngritën akuza për sulm, përdorim të paligjshëm të prangave dhe shkelje të të drejtave kushtetuese. Edhe pse Policia pranoi marrëveshjen dhe do të paguajë dëmshpërblimin, ata nuk morën përsipër asnjë faj.