Greqia sot mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Kryeministri Alexis Tsipras kërkon një mandat tjetër, kurse e djathta në opozitë ka sfiduar hapur qeverinë e majtë. Partia Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis kërkon që t’i japë fund qeverisjes 4-vjeçare të Tsipras.
Ky i fundit shpalli zgjedhje të parakohshme në muajin Maj pasi partia e tij SYRIZA humbi shumicën në zgjedhjet evropiane për në Parlamentin Europian. Sipas mediave greke, sondazhet kanë treguar për fitore të Demokracisë së Re. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, sipas orës lokale greke.
Kreu i opozitës, Mitsotakis premton taksa më të ulëta, më shumë privatizim të shërbimeve publike dhe të rinegociojë marrëveshjen me kreditorët e Greqisë, në mënyrë që të investohen në vend më shumë para. Nga ana tjetër, Kryeministri Tsipras i cili mori pushtetin në vitin 2015, ka premtuar më shumë investime dhe së fundmi ka rritur pensionet.
Edhe premtimet e tij për investime janë në fakt politika që do të duhet të rinegociohen me kreditorët e Greqisë, pasi vendi është nën mbikëqyrjen e Eurozonës pas tejkalimit të krizës ekonomike.