Deputetja Rudina Hajdari ka vizituar dy ditë më parë shkollën “Shejnaze Juka”, në Shkodër, një klasë e së cilës u dogj nga mbështetësit e opozitës, pasi ishte zgjedhur të shërbente si KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit.
Deputetja Hajdari mbajti premtim për dhënien e rrogës për shkollën “Shejnaze Juka” dhe pas vizitës ka konstatuar se investimi është bërë nga bashkia e Shkodrës.
“Pas bisedimeve me drejtorin e shkollës, Kolë Shiroka, u pa e arsyeshme që shuma e parashikuar nga paga ime të shkojë për librat artistikë, të cilat janë të integruar në kurrikulat mësimore, të vlefshme për të tre vitet e gjimnazit, t’i shtohen bibliotekës së shkollës. Këto libra do të shërbejnë si për 500 nxënësit që janë aktualisht të regjistruar në shkollë, ashtu edhe për brezat e tjerë që do vijnë në vitet e ardhshme. Duke qenë libra, të cilat janë të detyrueshëm të lexohen për gjatë 3 viteve shkollore, të gjithë nxënësit që nuk kanë mundësinë të pajisen me libra do të kenë akses falas në bibliotekë për të tërhequr librin që u nevojitet”, tha ajo.
Më tej, Hajdari shton se “në funksion të tyre do të vihet në dispozicion dhe një kompjuter, i cili do të shërbejë dhe do të funksionojë për nxënësit për realizimin e projekteve, detyrave të kursit apo aktiviteteve të tjera të ngjashme gjatë gjithë vitit”.