Cristiano Ronaldo drejt triumfit për Topin e Artë të gjashtë në karrierë. Kjo është profecia e të prestigjiozes spanjolle “Marca”, që i bën një analizë të thellë sezonit të CR7 tek Juventusi dhe në përfaqësuesen e Portugalisë.
Në bazë të opinioneve të para të mbledhura, Ronaldo duhet të jetë pranë triumfit personal, pasi vitin e kaluar Luka Modric ndërpreu dominimin 10-vjeçar të portugezit dhe Lionel Messit. Sipas “Marcas” 34-vjeçari është një nga favoritët kryesorë bashkë me Mbappé, Mané e Van Dijk.
Vendimtar në këtë triumf të mundshëm të Ronaldos do të rezultonte rendimenti i tij me Juven, skuadër me të cilën fitoi kampionatin dhe Superkupën e Italisë. CR7 ka mundur të shënojë në të gjitha takimet e Championsit si dhe është renditur i treti në listën e golashënuesve më të mirë të Serisë A me 21 finalizime. Sigurisht që nuk duhet harruar suksesi në Nations League. Ronaldo udhëhoqi përfaqësuesen e tij drejt triumfit në edicionin e parë të këtij turneu.