Në tre vjetorin e votimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugë Reformës në Drejtësi, Presidenti Ilir Meta ka kujtuar atë moment, duke postuar në Facebook një video gjatë procesit të votimit, kur ai mbante rolin e kreut të Kuvendit.
“Krenar që 3 vjet më parë, në detyrën e Kryetarit të Kuvendit, këmbëngula për miratimin me konsensus të plotë të Reformës në Drejtësi, për të mos lejuar kapjen e sistemit përmes ndryshimeve kushtetuese. Sot kam një falënderim të veçantë për Komisionin e Venecias, për të gjithë ekspertizën e vyer e të pakursyer, që na dha në atë proces. I lumtur që i qëndrova besnik rekomandimeve të këtij Komisioni për reformën kushtetuese, që garantonin pavarësi dhe paanshmëri të drejtësisë nga politika”, shkroi Meta.
Duke risjellë në vëmendje qëndrimin tim e mbajtur në seancën plenare të 21-22 korrikut 2016, Meta kujtoi edhe një herë se duhet që Reforma në Drejtësi të gjejë zbatim, në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat me Bashkimin Europian. “Bazat e ndryshimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë janë në ligjin themeltar të shtetit dhe të qarta si drita e diellit. Por vetëm falë atij konsensusi prej 140 votash Shqipëria gëzon ende rekomandimin historik për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian prej tre vitesh. Lidhur me çështjen se kur do të çelen negociatat, kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë sovranitetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të gjithëpranuara, për çdo nivel përfaqësimi politik dhe institucional. Fillimi i negociatave do të jetë i mundur kur zbatimi i Reformës në Drejtësi të shkojë në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së interesit publik, dhe garantimit të të drejtave demokratike dhe lirive themelore të qytetarëve të Shqipërisë”, shtoi Meta.