Qeveria amerikane prezanton rregulla të reja për deportim të shpejtë, të cilat anashkalojnë gjykatat e emigracionit.
Sipas procedurave të reja, emigrantët të cilët nuk mund të provojnë se kanë jetuar pa shkëputje në Shtetet e Bashkuara për më shumë se dy vite, do të deportohen menjëherë. Deri më tani, deportimet e përshpejtuara mund të aplikoheshin vetëm tek personat e ndaluar në kufi, të cilët kane qenë në ShBA për më pak se dy javë.
Aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se qindra mijëra njerëz mund të preken.
Sindikata Amerikane e të Drejtave Civile njoftoi se do të sfidojë në gjykatë rregullat e reja, të cilat pritet të implementohen menjëherë pas prezantimit ditën e martë. Zhvillimet vijnë në momentin kur politika e qeverisë amerikane kundër emigracionit është vënë në shënjestër të kritikave të ashpra, kryesisht për kushtet e vështira në qendrat e ndalimit në kufirin jugor me Meksikën.
Por, autoritetet këmbëngulin se masat janë të nevojshme. Kevin McAleenan, Sekretar për Sigurinë e Brendshme, tha: “Rregullat e reja janë një kundërpërgjigje e nevojshme ndaj krizës së vazhdueshme të emigracionit. Ato do të ndihmojnë në lehtësimin e barrës dhe mbingarkesës në kufi”.
Analistët thonë se Presidenti amerikan Donald Trump po e kthen grushtin e hekurt ndaj emigracionit në një element kyç të fushatës presidenciale të vitit 2020.