Dy shtetas rumunë janë arrestuar në Tiranë, ndërsa për një tjetër ka nisur procedim penal pasi janë kapur duke përdorur karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe.
Një bankë shqiptare e nivelit të dytë kishte bërë kallzimin
” Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, një bankë shqiptare e nivelit të dytë ka bërë kallëzim penal se në ATM-të e saj persona të paidentifikuar kanë përdorur 10 karta të klonuara kanadeze dhe të Britanisë së Madhe. Departamenti i kartave informon se procesori i tyre ka dhënë alert për disa veprime të dyshimta të kryera në ATM-të e kësaj banke” informoi sot policia e shtetit.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal që u ndoq me metoda speciale të hetimit për dy javë .
“Si rezultat i veprimeve të kryera, këqyrjes së pamjeve filmike dhe sistemit të hyrje daljeve, u identifikuan dy persona dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Qafë Thanë u bllokuan dhe u shoqëruan së bashku me shoferin e mjetit, me të cilin ata qarkullonin. Nga veprimet hetimore u arrestuan shtetasit A. B. dhe C.M., ndërsa shtetasi L.C., u procedua penalisht në gjendje të lirë” thuhet në njoftimin e shpërndarë sot nga Policia e shtetit.
Operacioni u kodua “Credit Card Fraud”.
Të arrestuarit
A. B., 37 vjeç, banues në Rumani;
C. M., 41 vjeç, banues në Rumani;
U procedua penalisht L. C., 38 vjeç, lindur dhe banues në Rumani;
Provat
Gjatë kontrollit të këtyre shtetasve, u gjendën dhe u sekuestruan si prova materiale sendet e mëposhtme:
3 telefona të markave të ndryshme; 8 karta të ndryshme bankare;
Një sasi parash; Pajisje për shkrues kartash magnetike dhe një Laptop.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale ““Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim.