Lumë golash, tensione dhe kartona të kuq. Kjo është ajo që ofroi derbi mes Atletico Madrid dhe Real në ndeshjen miqësore që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Los Colchoneros” fituan me rezultatin 7-3 ndaj rivalëve të përjetshëm të Real Madrid duke dhuruar spektakël për 57 mijë spektatorët që ishin të pranishëm në stadiumin e Metlive në Rutherfordin Lindor. Protagonist kryesor i ndeshjes ishte pikërisht ai, Diego Costa, 4 gola dhe një karton i kuq.
Ndeshja filloi furishëm që në minutën e parë kur sulmuesi i Atletico, Costa hapi festivalin e golave në këtë takim. Reali u duk i pafuqishëm duke pësuar 4 gola që në 30 minutat e para të takimit. Duke e parë rivalin në gjendje shook-u, ekipi i Simeones u tregua i pamëshirshëm duke shënuar dhe një gol të 5 në pjesën e parë. Në minutën e 51 rezultati shkoi 6-0 në favor të Atletico-s me një tjetër gol të Diego Costa. Rrjeta e parë për “Los Blancos” erdhi në minutën e 59 me Nacho.
5 minuta më vonë, një sherr mes Carvajal dhe Diego Costa, pas një faulli të qëllimshëm të këtij të fundit, detyroi arbitrin e takimit t’i nxirrte të dy lojtarët me karton të kuq për sjellje jo sportive.
Më pas Atletico shënoi dhe një gol me Vitolo në të 70-n ndërsa Reali dy të tjerë në fund të takimit me Benzema dhe Sanchez, duke e çuar rezultatin final në 7-3 në favor të Los Colchoneros.