Nga The Ecominist
Si mund të zbehen kërcënimet që Matteo Salvini paraqet ndaj euros? Duhet të ketë një marrëveshje midis Komisionit Europian dhe Italisë, shkruan The Economist.
Më 8 korrik, mbikëqyrësit e Eurozonës morën frymë lirisht. 19 ministrat e Financave të Eurozonës mbështetën vendimin e Komisionit Europian që Italia të mos ndëshkohej në lidhje me rritjen e nivelit të borxhit publik gjatë 2018, mbi nivelin e lejuar nga rregullat fiskale të BE-së, shkruan the Economist. Por, në të vërtetë, ndëshkimi thjesht është shtyrë për një periudhë të mëvonshme, nuk është hequr fare.
Realiteti i zymtë i financave publike të Italisë mbetet i pandryshuar. Deficiti i saj pritet të tejkalojë pragun 3% të PBB-së (të përcaktuar nga BE-ja) në vitin 2020, niveli i borxhit publik vazhdon të jetë në nivele alarmante dhe më e rënda nga të gjitha, është se Italia po rrënohet dalëngadalë nga mungesa e vazhdueshme e rritjes. Që nga periudha kur ajo miratoi euron, gati 20 vite më parë, Italia ka mbetur pas pjesës tjetër të Europës, si Gjermanisë, Francës, etj.
E gjithë pakënaqësia u reflektua edhe në votat që morën dy parti anti-establishmet, Liga e Veriut dhe Lëvizja Pesë Yjet. Lideri i pamëshirshëm i Ligës së Veriut, Matteo Salvini, ka nxitur vazhdimisht urrejtjen dhe zemërimin ndaj dy armiqve kryesorë: BE-së, të cilin ai e krahason me kampet famëkeqe të përqendrimit dhe hyrjen e emigrantëve nga Libia, për të cilën ai gjithashtu fajëson pjesërisht BE-në.
Gjashtë vite më parë, Liga e Veriut, mori vetëm 4% në kutitë e votimit, ndërsa në zgjedhjet e sivjetshme ajo është partia që mori numrin më të lartë të votave, duke u shndërruar në një prej partive më të pëlqyera në vend. Pra nëpërmjet nxitjes së politikës së urrejtjes, z. Salvini arriti që të shndërrohej në një prej njerëzve më të fuqishëm në Itali. Ai ende nuk është bërë Kryeministër, por me shumë mundësi nuk do të kalojë edhe shumë kohë deri sa ai të zgjidhet. Nëse kjo do të realizohet, atëherë do të realizohet edhe skenari i përballjeve të vazhdueshme me BE-në. Dhe, nga ana tjetër, ky është edhe problemi më alarmues për BE-në. Borxhi publik i Italisë është në nivele alarmante, në 2.3 trilionë euro (2.6 trilionë dollarë amerikanë), ose 132% e PBB-së.
Mosmarrëveshjet e vitit të kaluar mbi miratimin e buxhetit të saj krijuan paqëndrueshmëri në tregje, përpara se koalicioni të bënte lëshime të nxituara. Armëpushimi i fundit nuk ka të ngjarë të zgjasë. Koalicioni italian thotë se rregullat fiskale të BE-së janë shkaktari kryesor i mungesës së rritjes. Z. Salvini ka premtuar shkurtime të mëdha taksash. Luigi Di Maio, partneri tjetër i koalicionit, kërkon rritje të nivelit të mirëqenies.
Sipas Brukselit, problemi është strukturor; gjithsesi, ai i ka dhënë tashmë Italisë mbi 30 miliardë euro hapësirë shtesë fiskale që nga viti 2015, rreth 2% të PBB-së vjetore.
Kjo i ka acaruar veriorët, të cilët kërkojnë që rregullat të forcohen. Ekonomia e Italisë, e goditur nga ngadalësimi i tregtisë globale, nuk ka gjasa të shkojë pranë potencialit të saj brenda një kohe të shkurtër, shprehen ekonomistët e Komisionit. Por përpjekja e koalicionit vitin e kaluar për të nxitur rritjen rezultoi e pasuksesshme, sepse u godit nga pasiguria e tregjeve. Ndonëse normat e interesit që nga ajo kohë kanë rënë, kostot e huazimit të Italisë, dikur pranë atyre të Spanjës, tani janë pranë nivelit të yield-eve greke, të cilat kanë rënë me perspektivën e një qeverie të re të qendrës së djathtë.
Një pjesë e madhe e faktorëve që kanë ndikuar në krijimin e situatës së zymtë aktuale të Italisë datojnë disa dekada më parë. Gjykatat veprojnë në mënyrë të ngadaltë dhe burokracirat janë një mister më vete. Sektori i shërbimeve mbështetet nga konkurrenca. Marrëveshjet e pagave në mbarë vendin kanë bërë që niveli i tyre të mbetet i lartë në Jug, duke dekurajuar punësimin formal në këtë rajon. Në vend që qeveria të merrej kohë më parë me probleme të tilla, ajo është treguar indiferente. Prandaj lëshimet e minutës së fundit ndaj rregullave fiskale të BE nuk zgjidhin asgjë. Përballja thjesht është shtyrë për më vonë dhe kërcënimi i një krize aksidentale të obligacioneve është përherë i mundshëm. Komisioni duhet të përpiqet të hyjë në negociata për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke synuar arritjen e një marrëveshjeje më ambicioze.
Ai duhet të jetë fleksibël sa i takon shpenzimeve publike, me kusht që Italia të miratojë reformat për rritjen. Këto reforma kanë gjasa të funksionojnë nëse zbatimi i tyre mbështetet nga lehtësimi fiskal. Edhe raporti i borxhit publik do të binte me ritme më të shpejta. Arritja e marrëveshjes ofron diçka për të dyja palët.
Populistët e Italisë mund të shpërfillnin qortimet e Eurokratëve, por ajo që i shqetëson ata janë tregjet. Nëse ata do të pranonin disa kufizime në shpenzimet e tyre, do të rifitonin besueshmërinë e humbur të kreditorëve. Për Brukselin, një marrëveshje në përputhje me këto linja do të zbuste kërcënimin afatgjatë që Italia paraqet për stabilitetin financiar europian. Eurokratët nuk duhet të harrojnë edhe një fakt, se sa më shumë të fundoset Italia, aq më tepër do të rritet edhe niveli i urrejtjes që z. Salvini ka nxitur në pjesën më të madhe të popullit italian.