Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë.
Haradinaj tha se e mori këtë veprim që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.
Ai madje komunikoi vendimin e tij në Facebook, ku shkroi: “Sot kam dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për interpretim të aktit të dorëheqjes sime nga posti i Kryeministrit të vendit dhe definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas këtij akti.
Qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes sime, dhe me këtë, të shmanget vakuumi institucional, por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.
Dërgimi i kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese është dëshmi e përgjegjësisë institucionale, që Qeveria të veprojë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor, e si pasojë, të mos lejojë vakuum institucional deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Shpresoj se për shkak të urgjencës Gjykata do te vendosë shpejt. Cilido të jetë ai vendim unë do ta respektoj.
Në të njëjtën kohë, i bëjë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe partive politike që të ndërmarrin veprimet e duhura për shpalljen e zgjedhjeve parlamentare.”
Ende nuk ka datë të saktë për zgjedhjet e reja, por burime të ndryshe të mediave thonë se ato priten në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.
Partitë ndërkohë po mobilizojnë shtabet e tyre zgjedhore, pas zgjedhjeve të brendshme që përcaktuan rolet partiake.