Mund të themi se qumështi i gjirit është thuajse i pazëvendësueshëm, pasi asgjë e njëjtë nuk është krijuar ndonjëherë. Qumështi i gjirit është ushqyesi më i mirë për bebet, ndërkohë që ushqyerja me gji ofron shumë përfitime si për nënën dhe për fëmijën. Nënat duhet të dinë se ushqyerja e bebes me gji ka përfitime jo vetëm për të voglin e tyre por edhe për shëndetin e vetë nënave.
Instituti i Shëndetit Publik Shqiptar ka disa informacione se cilat janë përftimet e ushqyerjes me gji, për nënë dhe fëmijën. Së pari ushqyerja më gji e mbron foshnjën nga infeksionet, kjo pasi përmes qumështit të gjirit, foshnjat marrin kundërtrupat e gatshëm nga nëna. Duke ushqyer fëmijën tuaj me gji, do ta mbroni atë nga sëmundjet alergjike dhe ekzema, gjithashtu qumështi i gjirit do të thotë më pak infeksione në rrugët e frymëmarrjes, infeksione respiratore. Por përveç përfitimeve që ka foshnja nga ushqyerja me gjirin e nënës, edhe kjo e fundit ka disa përfitime shëndetësore.
Sipas ISHP-së, nëse ushqeni foshnjën tuaj me gji, do të jeni më të mbrojtura nga kanceri i gjirit, mitrës dhe ovareve. Do të jeni më pak të ekspozuara ndaj infeksioneve të ndryshme, gjithashtu kufizohet mundësia e frakturave të legenit në moshë të avancuar.
Një tjetër përfitim që keni nga ushqyerja me gji, dhe që është një problem për të gjithë nënat, është se ushqyerja me gji, ju ndihmon të riktheheni trupin tuaj në formë pas shtatzënisë. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse nënat e reja nuk duhet të ngurojnë vendosin foshnjën e tyre në gji, sapo ai të vijë në jetë.
Gjithashtu mos harroni se foshnja vihet në gji sa më shpejt të jetë e mundur, në orët e para të paslindjes. Foshnja duhet të ushqehet në bazë të kërkesës, pra sa herë dhe aq gjatë sa të dojë, ditën dhe natën, të paktën 8-12 herë në 24 orë. Deri gjashtë muajsh foshnjet duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri, që të jenë të shëndetshme dhe të rriten e zhvillohen sa më mirë. Kjo nënkupton ushqyerjen e foshnjës vetëm me qumësht gjiri, pa pirë asgjë tjetër. Ushqyerja e fëmijës me qumësht gjiri mund te vazhdohet dhe në 6 mujorin e dytë e madje dhe gjatë vitit te dytë.