“Dikush duhej ta kishte bërë këtë me Kinën shumë kohë më parë”. Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi kështu tarifat e reja ndaj Kinës që do të godasin markat amerikane që importohen në SHBA.
“Mallra me vlerë 300 miliardë dollarë po shiten në vendin tonë. Tarifa 10% është për një periudhë të shkurtër. Më pas mund t’i rris apo zvogëloj këto tarifa në varësi të ujdisë”, tha Trump.
Këto i shtohen një sërë tarifash, me të cilat Amerika ka goditur Kinën. “Ne gjithashtu po i taksojmë ata me 25% për 250 miliardë dollarë mallra të importuara”.
Presidenti pretendon se konsumatorët amerikanë nuk janë goditur nga tarifat. “Nuk i ka shkaktuar konsumatorit tonë asgjë, por vetëm Kinës”. Dhe këmbëngul që Pekini po paguan kostot shtesë. Por studimet ekonomike tregojnë se konsumatorët amerikane dhe jo eksportuesit e huaj, po mbajnë barrën e tarifave të reja.
“Mendoj se Xi, i cili është dikush që unë e pëlqej shumë, dëshiron të arrijë një ujdi. Sinqerisht ai nuk po reagon shpejt mjaftueshëm. Ai tha se do të blinte nga fermerët tanë, por nuk e bëri. Nëse nuk dëshirojnë të tregtojnë me ne, s’ka problem, pasi do të na kursejë shumë para”.
Duket se këtë masë po e mbështesin dhe demokratët. “Ne duhet të tregohemi shumë të ashpër me Kinën, pasi ka përfituar nga ne. Amerika ka humbur triliona dollarë dhe vende pune”, u shpreh Chuck Schumer, lider i demokratëve në Senat.