Kosova Isa Mustafa, rizgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Isa Mustafa, rizgjidhet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës, zgjodhi sërish të shtunën në krye të saj për herë të tretë Isa Mustafën. Ai u rizgjodh me aklamacion dhe ishte kandidati i vetëm emri i të cilit u hodh në votim.

Mustafa e cilësoi procesin si demokratik e të paraprirë nga një debat i gjatë i brendshëm para kuvendit.

Por mënyra e zgjedhjes së zotit Mustafa nxiti kundërshtimin e pretendentëve për postin e kryetarit të kësaj partie që është më e vjetra në vend. Ish-kryetari i kësaj partie, Fatmir Sejdiu, tha se votimi ishte organizuar asisoj që njerëzit të mos mund të shprehen lirshëm për kandidaturën e tij.

Lidhja Demokratike, partia më e vjetër në vend u themelua në vitin 1989 dhe për 16 vjet me radhë ishte drejtuar nga Ibrahim Rugova, ish president i Kosovës.

Pas vdekjes së tij në janar të vitit 2006, në zgjedhjet e vitit 2007 Lidhja Demokratike, për herë të parë humbi në zgjedhje duke u radhitur e dyta pas rivales së saj të vjetër, Partisë Demokratike të Kosovës, më të cilën më pas ndau pushtetin pas zgjedhjeve të vitit 2014. Në zgjedhjet e vitit 2017 ajo doli në opozitë.