Ndërroi jetë gjatë natës biznesmeni 40 vjeçar Arben Brahimaj i plagosur mbrëmjen e së dielës në Vlorë. Ai nuk mundi tu mbijetonte plagëve të marra në krahërror dhe në këmbë.
Nga ngjarja që ndodhi rreth orës 19.30 mbetën të plagosur edhe djali i tij 18-vjeçari Brikelo Brahimaj dhe nipi Olsi Brahimaj. Autorët janë 2 persona të identifikuar nga policia si E.Xh dhe Sh.L.
Pas ngjarjes ata kanë humbur gjurmët në pyllin e Sodës. Në ndjekje të tyre u vu policia e Vlorës e ndihmuar nga Delta Force dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt të Fierit, por pa mundur dot ende ti lokalizojë.
Nga të dhënat paraprake, policia thotë se motivet janë banale. Autorët kishin ardhur në lokal për të kërkuar llogari për një sherr të ndodhur gjatë paradites, por këtë herë kishin marrë edhe armë me vete.
Sapo kishin zbritur nga makina kanë hapur zjarr në drejtim të tavolinës ku qëndronin biznesmeni dhe dy të rinjtë.