Kryesore Meta ktheu ligjin për ndryshimet në Kodin Penal, Balla: U rreshtua në...

Meta ktheu ligjin për ndryshimet në Kodin Penal, Balla: U rreshtua në krah të dhunuesve

Taulant Balla reagoi pasi Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ktheu mbrapsht ndryshimet në Kodin Penal me argumentin se janë vërejtur disa çështje të cilat mund të shkaktojnë rrezik për qytetarët dhe për shoqërinë.

Kreu i grupit parlamentar socialist shprehet se Kreu i Shtetit nuk mund t’i pengojë ato, por në shtator secila prej ndryshimeve të kontestuara do të hyjë në fuqi.

“Sot Presidenti në detyrë Ilir Meta ktheu mbrapsht ndryshimet në Kodin Penal, sepse ai nuk qenka dakord që në një shoqëri demokratike, dhuna të ndëshkohet e kurrësesi nuk mund të tolerohet. Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, e për të cilat Ilir Meta nuk na qenka dakord, adresojnë shqetësimet kryesore të qytetarëve në lidhje me sigurinë publike, duke nisur nga siguria ushqimore, që është një komponent kyç i sigurisë kombëtare. Gjithashtu, Ilir Meta nuk qenka dakord me rritjen proporcionalisht të ndëshkimeve për dhunën ndaj mjekëve, policëve e funksionarëve të shtetit, bllokimin e akseve kombëtare, zgjerohet fusha e mbrojtjes së mjedisit, dhunën në stadiume, përfshi zhurmat, zgjerohet fusha e mbulimit të të drejtave të autorit, etj. Ilir Meta nuk qenka dakord me sigurinë ushqimore të shqiptarëve – kush shet mallra ushqimore të skaduara duhet të ndërshkohet më shumë. Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi kriminalizojnë shkelje apo fenomene të cilat aktualisht janë trajtuar si kundra-vajtje administrative, pa asnjë parashikim të mirëfilltë penal si shkelje. Për shkak të impaktit të madh që ka siguria ushqimore në jetën e qytetarëve, shkelje të kësaj natyrore do të fillojnë të konsiderohen si vepra penale apo kundravajtje penale në rastet më të lehta”, shkruan Balla në Facebook.

“Ilir Meta u rreshtua sot krah bllokuesve të rrugëve, teksa shqiptarët shkojnë në punë, shtëpi, spital, e kudo tjetër. Bllokimi i përsëritur i akseve kombëtare ka sjellë pasoja të rënda në ekonomi, si dhe ka krijuar kokëçarje të mëdha në jetën e përditshme të qytetarëve. Bllokimi i akseve pengon qytetarët të transportojnë të sëmurët në spital, gratë shtatzanë në maternitete, ka penguar kortezhe funerale, marrjen e fëmijëve nga shkolla e kopshtet, mungesa të përsëritura në punë, etj. Të gjitha këto janë të papranueshme në një shoqëri demokratike. Megjithatë, sikurse e parashikuam ditën kur Kodi u votua nga afro 100 deputetë të Kuvendit, Presidenti  thjeshtë mund t’i vonojë këto ndryshime të domosdoshme, por nuk mund t’i pengojë. E gjithë vëmendja jonë është për njerëzit dhe në shtator këto ndryshime do të hyjnë në fuqi”, shtoi Balla.