Partia Demokratike do të publikojë një plan kombëtar kundër pastrimit të parave që burojnë nga krimi i organizuar.
Kreu i PD, Lulzim Basha,tha në një konferencë për shtyp se “krimi ka kapur të gjitha nivelet e qeverisjes dhe ka mbështetjen e të gjitha niveleve të qeverisjes, këtë e dëgjuam nga zëri i Prokurorit të Antimafias italiane. Paratë e krimit pastrohen haptazi në Tiranë”.
“Droga dhe krimi në Shqipëri kanë një përhapje të tillë që rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe të ardhmen politike të vendit. Bumi i ndërtimeve në Tiranë është i financuar nga krimi. Një pjesë e madhe e koncesioneve dhe PPP-ve që po jep Edi Rama janë gjithashtu mekanizma për riciklimin e parave të drogës. Këto përmasa të kapjes së shtetit dhe ekonomisë janë të paprecedenta dhe ndodhin vetëm në zona tërësisht jashtë kontrollit qeveritar, në vende si Kolumbia dhe Afganistani”, akuzoi kreu i PD.
Basha vuri në dukje se Shqipëria ka nevojë për një program radikal kundër krimit dhe drogës dhe një program special kundër futjes së parave të pista në ekonomi dhe politikë. “
Në muajin shtator do të bëj të ditur në detaje planin tonë kombëtar kundër pastrimit të parave. Ndërkohë ka nisur hartimi i disa ligjeve kundër pastrimit të parave dhe krimit. Që ditën e parë në pushtet Qeveria do të caktojë një buxhet të konsiderueshëm për të audituar të gjitha koncesionet dhe PPP-të. Do të inspektojmë fizikisht pasuritë e drejtuesve të lartë të vendit”, u shpreh kreu i PD.
“Kriza politike shqiptare do të përfundojë me politikanë me pranga në duar. Kjo do të jetë garancia që kjo krizë të mos përsëritet”, përfundoi Basha.