20 vite më parë, presidenti rus, Boris Jeltsin, emëroi kryeministrin e tij të katërt në më pak se 18 muaj. Ai ishte Vladimir Putin, asokohe një shef i shërbimeve sekrete pak i njohur, pa asnjë eksperiencë në politikë.
Jeltsini në largim e sipër, po kërkonte një pasues dhe pak kush mund ta kishte parashikuar asokohe se edhe dy dekada më vonë, Putini do të vazhdonte të drejtonte Rusinë, duke marrë edhe një rol dominues në çështjet botërore.
Por, përvjetori, vjen në një kohë paqartësish në sundimin e liderit. Shkalla e mbështetjes për Putin mbetet në një nivel që shumë liderë perëndimorë do ta lakmonin, por sidoqoftë ajo është goditur nga ekonomia në ngecje dhe standardet në rënie të jetesës.
Në Moskë ka patur protesta dhe mijëra të arrestuar.
66-vjeçari, ndërkohë po përballet me një dramë të tijën për pasues.
Ky është mandati i fundit i tij në detyrë sipas kushtetutës ruse, por, pasi ka zhdukur konkurrencën duke marrë kontrollin e pjesës më të madhe të mediave, nuk ka një figurë të spikatur për ta zëvendësuar.
Analistët thonë se ka pak gjasa që lideri më jetëgjatë i Rusisë që nga koha e Stalinit të heqë dorë tërësisht nga pushteti kur mandati i tij të përfundojë në 2024.
Pas 20 vitesh në pushtet, ai nuk njeh thuajse asnjë kufi, ai është praktikisht një sulltan.