Përfundimisht ra poshtë mundësia e kalimit në Premier League. Negociatat me Manchester United dhe Tottenham dështuan në ditët e fundit të merkatos në Angli, e cila u mbyll të enjten. Megjithatë, e ardhmja e Paulo Dybala te Juventusi mbetet e pasigurt. Ylli argjentinas ka thënë gjithmonë se dëshiron të qëndrojë te “Zonja e Vjetër”, por duke bërë një krahasim mes asaj që mendon trajneri dhe lojtari, “Joya” nuk duket se do të jetë pjesë e projektit teknik të Maurizio Sarrit. Për këtë arsye mbetet në merkato. Ka kuriozitet për të parë nëse do të niset apo jo me pjesën tjetër të ekipit për në Stokholm, ku bardhezinjtë do të sfidojnë Atletico Madridin për “International Champions Cup”.
Sidoqoftë, nuk ka shumë mundësi për një shitje të mundshme. Hipoteza kryesore mbetet ajo e kalimit te PSG, në rast se Neymar largohet nga klubi kampion francez. Në një situatë të tillë, drejtori sportiv, Leonardo, mund të adresohet direkt te Dybala për ta zëvendësuar yllin brazilian. Për këtë arsye, deri më 2 shtator, data e mbylljes së merkatos në Itali dhe Francë, klubi bardhezi do të presë një ofertë zyrtare nga homologët transalpinë.
Në mesin e garuesve të mundshëm për Dybala, megjithatë, orët e fundit ka hyrë edhe Bayern Munich, i cili, pas dështimit në blerjen e Sané për shkak të dëmtimit serioz të lojtarit të Manchester City, po shqyrton një seri emrash. Midis këtyre, përveç Perisic të Interit, ekziston edhe Dybala. Një kalim te rivalët e Interit është pothuajse e pamundur, për shkak të “armiqësisë” që ekziston mes dy klubeve. Presidenti Andrea Agnelli, sipas asaj që ai shkruan “Il Corriere dello Sport”, ka vendosur veton e tij për të mos e shqyrtuar fare pistën zikaltër.
Interi nuk ka ndërmend ta shesë Icardi te Juventusi, nëse bardhezinjtë nuk paguajnë 75-80 milionë, ose të marrë Dybala në këmbim. Numri një i Juventusit nuk dëshiron t’ua shesë Dybala zikaltërve, sidomos pasi fituan garën për Lukaku. Për këtë arsye, pista e huaj mbetet më e mundshmja dhe më e realizueshmja për “Joya”. Ndryshe, mbetet në fuqi qëndrimi i detyruar te kampionët e Italisë, ku hapësirat për të duken të limituara, pavarësisht rokadës Allegri-Sarri.