77 magjistratë kaluan në sitën e Vetting-ut nga marsi deri në dhjetor të këtij viti, për të prodhuar një bilanc dramatik për vetë gjyqësorin, por veçanërisht cilësinë e drejtësisë që u ofrohet shqiptarëve.
Testit të pasurisë, integritetit e profesionalizmit nuk i kanë mbijetuar dot 45% e magjistratëve të kaluar në sitë gjatë këtyre muajve. Nga 77 gjyqtarë, prokurorë, e asistentë ligjorë, u konfirmuan 45 dhe u shkarkuan 35. Numri i të shkarkuarve pritet të rritet edhe më tej, ndërkohë që disa prej të konfirmuarve rrezikojnë të shkarkohen nga shkalla e dytë e Vetting-ut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Siç ndodhi pak javë më parë me Kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Kolegji i Apelimit rrëzoi vendimin fillestar të konfirmimit të tij në detyrë, ndërkohë që në janar do të vijojë seancat për rishikimin e vendimeve për të paktën dy magjistratë të tjerë: Edmond Islamajn e Gjykatës së Lartë, dhe Alma Bratin e Gjykatës së Tiranës. Ndërkohë që lista e magjistratëve të konfirmuar por të ankimuar nga Komisioneri Publik nën rekomandimin e ONM-së, është mjaft e gjatë.
Numri i madh i të shkarkuarve ka pasur një efekt dramatik për vetë gjyqësorin, por veçanërisht për cilësinë e drejtësisë që marrin qytetarët. Shkarkimin i Bashkim Dedjas bëri që Gjykata Kushtetuese të mbetet pas asnjë gjyqtar, duke qenë se e vetmja anëtare që i mbijetoi Vetting-ut, Vitore Tusha, është me mandat të përfunduar. Gjykata e Lartë u reduktua në 4 anëtarë nga shkarkimet, numër që mund të ulet edhe më tej nëse apeli do të shkarkojë Edmond Islamajn.
Gjithsesi, efekti më dramatik ka të bëjë me numrin jashtëzakonisht të madh të dosjeve të akumuluara në Gjykatën e Lartë. Në fund të muajit nëntor ato arritën në 30 mijë, për tu shtuar muaj pa muaji. Edhe në rastin më të mirë, nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me numrat brenda fillimit të vitit të ardhshëm, shqyrtimi i këtij volumi kaq të madh dosjesh mund të kërkojë vite. Kjo do të thotë se një pjesë e mirë e tyre mund të presin deri 5 vite për të parë dritën e shqyrtimit./SCAN