Valdrin Pjetri depoziton gjurmët e gishtërinjve në laboratorin shkencor pranë Ministrisë së Brendshme.
Kërkesa ishte bërë që në datën 9 gusht nga Drejtoria e Dekriminalizimit, e cila kërkon verifikimin dhe hetimin e të zgjedhurit vendor në 30 qershor në Shkodër.
Pjetri kishte afat 5 ditë që nga dita e marrjes dijeni për kërkesën e Prokurorisë, ndërsa sot ai është paraqitur pranë laboratorit të kriminalistikës për të kryer procedurat konkrete në lidhje me të shkuarën e tij në Itali.
Drejtoria e Dekriminalizimit u vu në lëvizjë në fillim të muajit gusht pas një kërkesë-padie që Partia Demokratike depozitoi pranë organit qendror të akuzës. Bashkë me padinë, juristët e PD-së dorëzuan edhe vendime të Prokurorisë Italiane që sipas tyre vërtetojnë dënimin me 18 muaj burg për trafik narkotikësh nga ana e Valdrin Pjetrit vite më parë.