Politika Dy javë nga thirrja e KED, Presidenca nuk ka shpallur ende vakancën...

Dy javë nga thirrja e KED, Presidenca nuk ka shpallur ende vakancën për ‘Kushtetuesen’

Gati dy javë iu deshën Kuvendit që të shpallte të hapur garën për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që një hap i tillë nuk është ndërmarrë ende nga Presidenca. Më 9 gusht, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) kërkoi nga dy institucionet plotësimin e dy vendeve të vakante në Gjykatën Kushtetuese, por procesi ka qenë i ngadaltë.

Gara për zëvendësimin e ish-gjyqtarëve Fatos Lulo dhe Besnik Imeraj ishte hapur më herët nga Kuvendi dhe Presidenca, por kandidaturat e paraqitura ose u ndaluan nga KED ose u shkarkuan gjatë procesit të vetting-ut.

Pas thirrjes që bëri sot Kuvendi për kandidatët, Presidenca ka mbetur institucioni i fundit që duhet të reagojë.

Procesi i përzgjedhjes

Gjykata Kushtetuese përbehet nga 9 anëtarë: Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Aktualisht në Gjykatë ka mbetur vetëm Vitora Tusha.

Por ndonëse në Kuvend dhe Presidencë duhet të paraqiten kandidaturat për dy vendet e fundit të mbetura vakante në Kushtetuese, për katër vendet e tjera vakante (Kuvendi dhe Presidenti emërojnë 6 gjykatës në total) ekzistojnë kandidatët, të cilët janë intervistuar dhe pritet që brenda këtij muaji KED të bëjë renditjen e tyre.

Listat me aktet e vlerësimit dhe pikëzimit të kandidatëve do i dorëzohen më pas Kuvendit dhe Presidentit për të përzgjedhur anëtarët për Gjykatën Kushtetuese.

Aktualisht, për katër vende në Kushtetuese konkurrojnë Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti, Marsida Xhaferllari dhe Besnik Muçi. Për dy vendet e tjera duhet të paraqiten kandidaturat në Kuvend dhe në Presidencë (kur kjo e fundit të hap garën).

Kuvendi ka përcaktuar 15 shtatorin si ditën e fundit për kandidatët e interesuar për postin vakant në Kushtetuese, ndërsa Presidenca duhet që fillimisht të njoftojë hapjen e garës.